Humbje e rëndë për komunitetin mjekësor, ndahet nga jeta stomatologia e njohur Vera Skëndaj

ShowBizi

Nga qyteti i Fierit vjen një lajm hidhërues mbrëmjen e kësaj të shtune: Vera Skëndaj, stomatologia e mirënjohur, është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare. Ajo la pas një karrierë 45-vjeçare, gjatë së cilës i shërbeu me përkushtim pacientëve të saj. Burime bëjnë me dije se ajo humbi jetën si pasojë e një beteje të gjatë me kancerin e gjirit.

Megjithëse tregoi forcë të madhe në përballjen me sëmundjen, mjekja nuk arriti t’ia dalë mbanë.

Humbja e saj ka shkaktuar dhimbje të thellë te kolegët, pacientët dhe familjarët, të cilët e vlerësonin si një figurë me autoritet dhe respekt të madh në qytet.

E lindur në Kukës më 6 prill 1955, ajo u shpërngul me familjen në Fier, ku edhe mori edukimin bazë dhe të mesëm. Rrugëtimin akademik e përmbylli në Tiranë, ku u diplomua për stomatologji.

Ceremonia e lamtumirës për mjeken Skëndaj do të mbahet këtë të diel në qytetin e Fierit, mes miqve, kolegëve dhe familjarëve.

Redaksia jonë shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerës në këto çaste të vështira.

Lajmet e fundit