E FUNDIT! Protesta e 13-të studentore mbyllet me tre persona të…
Pas më shumë se tre orësh përballje të ashpër mes protestuesve dhe efektivëve para Kryeministrisë, qytetarët janë shpërndarë nëpër rrugët e Tiranës. Ndërsa bëhet me dije se gjatë protestës së mbajtur sot, kanë mbetur të lënduar tre persona, mes tyre dy protestues dhe një efektiv policie.
“Dy prej tyre, një protestues dhe efektivi i policisë, kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe kanë lënë spitalin, ndërsa një protestues vijon të jetë i shtruar.”, thuhet në njoftimin e publikuar rreth orës 19:00 nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndërkaq, bëhet me dije se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur edhe një efektiv policie, i cili po kryen ekzaminimet e nevojshme mjekësore.
Aktualisht, situata paraqitet e qetë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, zona e cila dhe sot u kthye në një “fushë-betejë” ku qytetarët u panë duke hedhur sërish fishekzjarre, gurë e sende të forta ndaj institucioneve dhe efektivëve.
Ndërsa mësohet se pas pesë orësh protestë, ka vijuar normalisht qarkullimi i makinave nëpër Tiranë.
Siç kemi raportuar dhe gjatë ditës, protesta nisi rreth orës 14:30 te Ministria e Arsimit duke u zhvendosur te Kryeminstria. Fillimi i protestës së 13-të ishte i qetë, por situata u tensionua me t’u zhvendosur poshtë zyrës së kryeministrit. Ndërsa situata është qetësuar pas afro pesë orësh tubim në kryeqytet.
Nga ora 19:00 protestuesit nisën të zhvendoseshin nga Kryeministria duke marshuar në drejtim të sheshit “Skëndërbej” e pastaj në rrugë të tjera të kryeqytetit, duke mbyllja e tubimit të sotëm.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale:
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, sipas informacioneve paraprake nga strukturat spitalore informon se gjatë protestës së sotme:
Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur në total 3 të lënduar.
Aktualisht një protestues i shtruar, një protestues tjetër dhe një efektiv policie kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe kanë lënë spitalin.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është paraqitur: -1 efektiv policie, i cili po i nënshtrohet ekzaminimeve të nevojshme.
Burimi: Newsbomb.al
