Zbardhen detaje të frikshme/ Ja si nënë e bir vr*në kryefamiljarin dhe nxorren versionin e ariut!
Ngjarja që u raportua fillimisht nga familjarët se Urim Fiku ishte sulmuar dhe kafshuar për vdekje nga një kafshë e egër “ari”, ka marrë një tjetër kthesë hetimore kur trupi i pajetë i viktimës është këqyrur nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore të mbërritur nga Tirana.
Sipas konkluzioneve të ekspertëve dhe hetuesve të policisë kriminale në komisariatin e Bulqizës, Urim Fiku, 53-vjeçari nga Bulqiza, rezulton të jetë vrarë me armë zjarri, pistoletë, dhe më pas është goditur me një send të mprehtë (sëpatë) në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Për këtë ngjarje të ndodhur mëngjesin e sotëm, policia e Bulqizës vendosi të arrestojë në mesditë gruan e Urim Fikut, shtetasen Sadete Fiku, dhe djalin e viktimës, shtetasin Gëzim Fiku. Nënë e bir, iu komunikua akuza e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, kryer në bashkëpunim ndaj kryefamiljarit Urim Fiku, dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit”.
Detajet
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se, sipas hetimeve të kryera, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Fillimisht, Urim Fiku është qëlluar pas shpine me një plumb pistolete.
Ekspertët u kanë saktësuar oficerëve të hetimit se plumbi ka qenë tejshkues, duke hyrë në pjesën e pasme dhe më pas i ka dalë në gjoks. Por veç kësaj plage të rëndë të shkaktuar me armë zjarri, ekspertët kanë konstatuar në kokën e viktimës Urim Fiku edhe një plagë të madhe, e cila ishte shkaktuar me një mjet prerës të fortë, që dyshohet të jetë sëpatë.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia e Bulqizës është vënë në dijeni nga spitali i qytetit, ku gruaja Sadetja dhe djali Gëzim Fiku e kishin transportuar kryefamiljarin në spital me pretekstin e një vizite mjekësore, pasi njeriu i tyre ishte pa shenja jete.
Por pas vizitës, mjekët kanë konstatuar se Urim Fiku kishte ndërruar jetë. Në këto rrethana, gruaja dhe djali kanë kërkuar dhe insistuar që të tërheqin trupin e Urim Fikut me qëllim zhvillimin e ceremonisë mortore.
Mirëpo në këto momente, mjekët kanë njoftuar policinë për të kryer verifikimet e mundshme hetimore. Pas kryerjes së ekspertizës, u kuptua qartë se vdekja e Urim Fikut nuk ishte shkaktuar nga ariu, por nga një armë zjarri, pistoletë, dhe më pas nga një goditje me sëpatë në trup.
Në kuadër të këtyre veprimeve hetimore, në pyetje është marrë shtetasja Sadete Fiku, e cila ka treguar gjithçka për policinë e Bulqizës. Sipas saj, ngjarja lidhet me një motiv xhelozie, pasi Urim Fiku kishte krijuar një lidhje paralele me një grua tjetër. Sadetja ka treguar se vrasja është kryer me armë zjarri, pistoletë, të cilën ajo e ka fshehur në një vend, që ia ka treguar më pas djalit. Dhe sipas saj, djali i saj Gëzimi e ka marrë armën dhe e ka fshehur diku tjetër që ajo nuk e dinte.
Për të mbuluar plagën e armës, gruaja dhe i biri kanë zhveshur Urim Fikun, duke i veshur rroba të tjera. Ndërsa rrobat që ia kanë hequr, djali i tij Gëzimi i ka prerë me gërshërë dhe më tej i ka hedhur në tualetin e shtëpisë. Këto rroba tashmë janë sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale.
Si provë është sekuestruar edhe arma e zjarrit, të cilën e ka treguar vetë djali i viktimës, Gëzim Fiku. Nënë e bir tashmë janë arrestuar dhe ndaj tyre janë ngritur akuza të rënda si “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”. Pritet që të dy të dalin në ditët në vijim para Gjykatës së Dibrës, për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” që do të kërkojë prokurori i çështjes.
